Buletin

Buletini i FSFE-së - korrik 2014

Shkruar nga  më  

Kafe Privatësia: fshehtëzim email-esh si pjatë kryesore!

Përfytyroni se shkoni me disa shokë në kafe, por në vend pijesh të ftohta apo të nxehta, menuja përmban informacione mbi masa për sigurimin e privatësisë dixhitale. Si, për shembull, "https kudo"; si antipastë, "Fshehtëzim email-esh me GnuPG"; si pjatë kryesore, dhe "tosdr.org"; (informacione mbi kushte shërbimesh) si ëmbëlsirë. Kafe të tilla gjenden tashmë në Holandë. Në takimin e FSFE-së në Esen, Felix Stegerman, bashkërenduesi ynë prej Holande, paraqiti planet e tij për të krijuar më tepër kafe privatësie dhe shpejgoi se pse është i mendimit se është koha e duhur dhe një mundësi e mirë për Software-in e Lirë për ta bërë këtë edhe në vende të tjera.

Ndodh kështu sepse shumica e njerëzve që shkojnë në një kafe privatësie, janë tashmë në dijeni të problemeve rreth të privatësisë dhe lirisë. Në të njëjtën kohë, kjo u jep vullnetarëve vendorë një mundësi të mirë për të folur mbi Software-in e Lirë, dhe mbi rëndësinë e përdorimit të Software-it të lirë për çështje privatësie. Për shembull, duke u shtruar pjesëmarrësve pyetjen "kush e kontrollon software-in?" Lexoni postimin te blogu i Feliksit, për më tepër hollësi rreth këtyre kafeve dhe planeve për të ardhmen.

Vetëmbrojtja e email-it në gjuhë të ndryshme

Materialet e goditura, informuese mbi fshehtëzimin dhe Software-in e Lirë janë kyçe për privatësinë dhe kafetë e sapopërmendura. Fatmirësisht, organizmi ynë vëlla, FSF-ja, botoi udhërrëfyesin mbi vetëmbrojtjen në email dhe vullnetarët e kanë përkthyer udhërrëfyesin dhe grafikën në 6 gjuhë: Anglisht, Gjermanisht, Portugalisht Braziliane, Frëngjisht, Rusisht, Turqisht, dhe Japonisht. Ky udhërrëfyes shpjegon instalimin e programeve të nevojshme për fshehtëzim email-esh nën GNU/Linux, MacOS, dhe Microsoft Windows, si dhe prodhimin e kyçeve, rrjetin e besueshmërisë dhe përdorimin e këtyre programeve. Krejt çka ju duhet është një kompjuter me lidhje në Internet, një llogari email, dhe afërsisht një gjysmë ore. Për më tepër të dhëna se si mund të ndihmoni të përhapet informacioni rreth vetëmbrojtjes në email, shihni ndarjen "aktivizohuni" të këtij numri të buletinit.

Çfarë të përdoret në vend të WhatsApp-it dhe Threema-s?

"Si t’i fshehtëzoj email-et e mia" ka qenë një nga pyetjet më të rëndomta që kemi marrë muajt e fundit. Falë udhërrëfyesit mbi vetëmbrojtjen në email, tani kemi një përgjigje të kënaqshme. Një tjetër pyetje rreth fshehtëzimit dhe privatësisë, që na është bërë shpesh, ka qenë: "a ka një alternativë të sigurt dhe të lirë për WhatsApp-in?"

WhatsApp është një program shkëmbimi mesazhesh, për pajisje celulare, që ju lejon të dërgoni mesazhe (tekst) pa pagesë. Pas blerjes tani së fundi të WhatsApp-it nga Facebook-u dhe nën dritën e zbulimeve mbi NSA-në, mjaft nga përdoruesit e WhatsApp-it po kërkojnë për alternativa të sigurta dhe të besueshme.

Ngaqë kjo prek kaq shumë vetë, ne të Free Software Foundation Europe-s do të donim të ishim në gjendje të promovojmë një alternativë që respekton lirinë dhe privatësinë tuaj. Ndaj, në takimin tonë të fundit të ekipit të FSFE-së në Esen, vendosëm të bëjmë ca kërkime dhe të organizojmë një praktikë mbi alternativa WhatsApp-i. Përfundimet e takimit u përmblodhën nga Hannes Hauswedell dhe Torsten Grote.

Diçka krejt tjetër

Përfshihuni: Përhapni udhërrëfyesin mbi vetëmbrojtjen në email!

Udhërrëfyesi i FSF-së mbi vetëmbrojtjen në email dhe grafika përkatëse janë një material i mirë për t’i shpjeguar publikut të gjerë fshehtëzimin e email-it. Gjatë ca kohe, FSFE-ja u furnizon veprimtarëve materiale informative mbi Software-in e Lirë. Veç informacionesh të përgjithshme mbi Software-in e Lirë, Standardet e Hapura, Administrimin Dixhital të Kufizimeve, ose F-Droid-in, do të donim të shpërndanim në të ardhmen edhe grafikën e sipërpërmendur.

Përpara se të japim në shtyp një sasi më të madhe dhe t’ua dërgojmë atë grupeve tona vendore dhe veprimtarëve të tjerë nëpër Europë, do të donim t’i vinit në provë grafikat, me miqtë, familjen dhe kolegët. Shihni nëse kanë probleme me të kuptuarit e disa pjesëve dhe përdorni listat tona të diskutimeve publike, që kështu ne - tok me organizmin tonë vëlla - të mund t’i përshtatim ato, në qoftë e nevojshme.

Falënderojmë krejt vullnetarët, Anëtarët Shok dhe korporatat dhuruese që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE